Rama dhe gazetari maqedonas në konflikt gjatë konferencës së përbashkët në Qafë Thanë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u përplas me një gazetar maqedonas gjatë një konference së përbashkët me homologun e tij, Hristijan Mickoski, në pikën kufitare të Qafë Thanës.

Një debat i drejtpërdrejtë u zhvillua mes kryeministrit Edi Rama dhe një gazetari nga Maqedonia e Veriut, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me homologun Hristijan Mickoski në pikën kufitare të Qafë Thanës. Gazetari e pyeti Ramën se përse krijon marrëdhënie miqësore me kryeministrat dhe politikanët maqedonas, ndërsa, sipas tij, nuk tregon të njëjtin interes për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Rama theksoi se Maqedonia e Veriut është një shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë mundësi të përfaqësohen përmes institucioneve dhe partive të tyre politike. Kryeministri u shpreh se ndërhyrja e kryeministrave në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai shtoi se nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në fushatat politike në Maqedoninë e Veriut, por theksoi se përfaqësuesit politikë shqiptarë janë gjithmonë të mirëpritur në Tiranë për të diskutuar çështjet e përbashkëta.
Rama nënvizoi se nuk sheh asnjë kontradiktë mes të qenit mik me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Kryeministri kundërshtoi idenë se duhet të zgjedhë mes marrëdhënieve me homologun maqedonas dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Në fund, kryeministri iu përgjigj edhe mënyrës se si gazetari kishte ndërhyrë për të marrë fjalën, duke deklaruar se nuk jeton në një vend jodemokratik dhe se ai nuk do të pësojë ndonjë dëm.