Shqiptari i dënuar për drogë përpiqet të shmangë dëbimin nga Britania
Një shqiptar i dënuar për trafik droge në Britani po përpiqet të shmangë dëbimin duke pretenduar se partnerja e tij ka nevojë për praninë dhe mbështetjen e tij për shkak të problemeve të shëndetit mendor.

Një 37-vjeçar shqiptar i dënuar për trafik droge në Britaninë e Madhe po përpiqet të shmangë largimin drejt Shqipërisë, duke pretenduar se partnerja e tij rumune vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka nevojë për praninë dhe mbështetjen e tij. Eugert Pulaj hyri ilegalisht në Britani në vitin 2019 dhe u dënua me dy vite e katër muaj burg pasi u kap nga policia e Londrës me 24 qese kokainë.
Pas dënimit, Ministria e Brendshme britanike nisi procedurat për largimin e tij, por Pulaj e kundërshtoi vendimin përmes një ankese të bazuar në të drejtat e njeriut. Sipas raportimit të GB News, shqiptari argumentoi se dëbimi i tij do të kishte pasoja të rënda për partneren, e cila ka status të rregullt qëndrimi në Britani dhe vuan nga çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), ankthi dhe depresioni.
Çifti pretendoi se kishte një varësi të fortë emocionale nga njëri-tjetri dhe se Pulaj ishte një mbështetje e rëndësishme për mirëqenien e saj mendore. Avokatët e tij argumentuan se telefonatat dhe mesazhet nuk mund ta zëvendësonin praninë fizike të shqiptarit. Megjithatë, në shtator, gjykata rrëzoi kërkesën e tij, duke vlerësuar se marrëdhënia e çiftit mund të vazhdonte edhe nëse Pulaj kthehej në Shqipëri.
Gjyqtari pranoi se lidhja e tyre ishte e sinqertë dhe se shqiptari i ofronte mbështetje partneres, por theksoi se interesi publik për largimin e tij ishte më i rëndësishëm. Në vendim u morën parasysh hyrja e paligjshme në Britani, dënimi për drogë dhe një tjetër shkelje e kryer gjatë periudhës së lirimit me kusht. Pas rrëzimit të kërkesës së parë, Pulaj paraqiti një tjetër apel, duke pretenduar se gjykata nuk kishte marrë mjaftueshëm parasysh gjendjen shëndetësore të partneres dhe varësinë e saj emocionale prej tij.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se nuk ishte vlerësuar siç duhej një raport sipas të cilit shqiptari konsiderohej me rrezik të ulët për të kryer vepra të tjera penale. Por edhe kjo përpjekje dështoi. Gjykatësja Jill Frances vendosi se nuk kishte pasur gabim material ligjor në vendimin e mëparshëm, të datës 15 janar 2026, dhe rrëzoi apelin. Në vendimin e saj, ajo theksoi se çifti mund të vazhdonte jetën familjare në Shqipëri dhe se vlerësimi për rrezikun e ulët të përsëritjes së veprave penale nuk e tejkalonte interesin publik për dëbimin e tij nga Britania.