Rama propozon krijimin e një biblioteke digjitale për ruajtjen e gjuhës shqipe
Kryeministri Edi Rama propozon krijimin e një biblioteke digjitale për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, veçanërisht te brezat e rinj në diasporë.

Kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e një biblioteke të madhe digjitale, e hapur për çdo fëmijë dhe mësues shqiptar në mbarë botën, me synimin për të ruajtur dhe promovuar gjuhën shqipe. Gjatë vizitës në Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqip në Manastir, Rama theksoi nevojën për një projekt afatgjatë të përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe strukturave shqiptare në rajon për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Rama propozoi që biblioteka digjitale të përmbajë libra që mund të lexohen dhe dëgjohen, duke u bërë një hapësirë e përbashkët mësimi për fëmijët dhe mësuesit shqiptarë kudo që ndodhen. Ai sugjeroi gjithashtu përfshirjen e mësuesve nga Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini, Athina dhe Zyrihu, të cilët do të ndanin përvojat e tyre dhe do të identifikonin nevojat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.
Sipas Ramës, gjuha shqipe po përballet me sfida të reja, veçanërisht te fëmijët që jetojnë jashtë trojeve shqiptare, dhe kërkohet një projekt afatgjatë për ta ruajtur dhe promovuar atë. Rama propozoi që 22 Nëntori të shërbejë edhe si një ditë llogaridhënieje për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me ecurinë e gjuhës shqipe, duke raportuar për numrin e librave të shpërndarë te fëmijët dhe mbështetjen e mësuesve jashtë kufijve.