Esat Ruka rrëfen kujtime nga fëmijëria dhe dashurinë për muzikën
Kantautori Esat Ruka ishte i ftuar në programin “Diell” dhe ndau kujtime nga fëmijëria, trashëgiminë muzikore të familjes dhe rrugëtimin e tij artistik.

Kulturologu dhe kantautori Esat Ruka ishte i ftuar në programin “Diell”, në Top Channel, ku ndau me publikun kujtime nga fëmijëria në Mat, trashëgiminë muzikore të familjes dhe rrugëtimin e tij artistik. Ai tregoi se dashuria për muzikën ishte pjesë e jetës familjare, duke përmendur babain e tij si një rapsod i njohur në zonë dhe nënën me një zë brilant.
Gjatë intervistës, Esat Ruka solli edhe një moment të veçantë emocional, duke kënduar një këngë akapela të të atit. Ai tregoi se kontakti i parë me radion dhe dëgjimi i zërave të këngëtarëve i zgjuan edhe më shumë dëshirën për të dëgjuar këngë në familje. Esat Ruka kujtoi se fëmijëria në fshat ishte shumë e bukur dhe se ai filloi të merrte kontakt me muzikën që në moshën pesëvjeçare.
Rrugëtimi i tij artistik do të merrte një drejtim edhe më të qartë gjatë viteve kur punonte si mësues në Shkopet. Aty nisi të ndërtonte strukturat e para muzikore dhe të angazhohej në jetën artistike të zonës. Më vonë, Esat Ruka nisi të shkëputej gradualisht nga interpretimi vetëm me instrument dhe të provonte veten si këngëtar solist, duke arritur të merrte edhe disa çmime të para.
Esat Ruka foli me vlerësim edhe për bashkëshorten e tij dhe për krahinën e Matit, duke thënë se “Mati ka më shumë shpirt sesa zëdhënie të shpirtit.”