Irani mund të sfidojë bllokadën amerikane në Hormuz për shkak të rënies së të ardhurave nga nafta
Të ardhurat nga eksporti i naftës së papërpunuar dhe kondensatit të Iranit parashikohet të bien në zero kah mesi i dhjetorit, duke shkaktuar thirrje për të sfiduar bllokadën detare amerikane.

Komentatorët e linjës së ashpër dhe mediat pranë Gardës Revolucionare Islamike të Iranit po bëjnë thirrje që Irani ta sfidojë bllokadën detare amerikane ndaj porteve dhe ujërave iraniane. Ata propozojnë që një “grup cisternash nafte” të lundrojë përmes bllokadës, si dhe të bëhen kërcënime për ta goditur infrastrukturën e naftës të vendeve fqinje të Iranit në Gjirin Persik, nëse forcat amerikane i sulmojnë anijet iraniane.
Forcat iraniane kanë tentuar tashmë t’i sulmojnë caqet amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt gjatë kësaj jave. Fushata për promovimin e idesë së thyerjes së bllokadës mori hov më 19 nëntor, kur agjencia e lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike, publikoi një koment ku argumentonte në favor të dërgimit të një “konvoji cisternash nafte”.
Asnjë institucion zyrtar iranian nuk ka njoftuar formalisht për ndonjë plan të tillë, por diskutimet tregojnë se sa shumë po e ndien Teherani ndikimin e bllokadës amerikane. Sipas kompanisë së inteligjencës energjetike Kpler, të ardhurat e Iranit nga eksporti i naftës bruto dhe kondensatit mund të bien në zero deri në mesin e dhjetorit. Kjo do të ishte hera e parë në historinë e vendit që ndodh diçka e tillë.