Dokumentet e fshehta për Bigfoot: Qeveria amerikane publikon raporte për gjurmët gjigante
Administrata e presidentit Donald Trump ka publikuar dokumente historike të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara, që lidhen me raportimet për krijesën misterioze Bigfoot.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë publike një seri dokumentesh historike të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara, që lidhen me raportimet për krijesën misterioze Bigfoot, e njohur edhe si Sasquatch. Dokumentet, të publikuara më 15 tetor nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA), përmbajnë raporte për gjurmë të pazakonta, dëshmi të banorëve dhe hetime të kryera në pyjet amerikane përgjatë disa dekadave.
Një prej dokumenteve më interesante daton në qershor të vitit 1982, kur Shërbimi Pyjor amerikan nisi një hetim pas zbulimit të gjurmëve të mëdha në zonën Mill Creek Watershed, në pyllin kombëtar Umatilla. Biologu i jetës së egër Rodney Johnson ekzaminoi tri zona ku ishin gjetur gjurmë të pazakonta. Sipas raportit të tij, disa prej tyre ishin rreth 38 centimetra të gjata dhe 18 centimetra të gjera.
Hetuesit fotografuan gjurmët, kryen matje dhe përgatitën edhe kallëpe për të dokumentuar formën e tyre. Megjithatë, përfundimet nuk konfirmuan ekzistencën e Bigfoot. Biologu Johnson vuri në dukje disa elemente që ngrinin dyshime se gjurmët mund të ishin krijuar artificialisht. Edhe një specialist i Patrullës Kufitare amerikane arriti në përfundimin se mund të bëhej fjalë për një mashtrim të realizuar me një këmbë artificiale.
Bigfoot, i njohur gjithashtu si Sasquatch, është një krijesë legjendare që, sipas rrëfimeve popullore, jeton në pyjet e Amerikës së Veriut. Për dekada të tëra, njerëz të ndryshëm kanë pretenduar se kanë parë krijesën ose kanë gjetur gjurmët e saj. Megjitha të, deri më sot nuk ekziston asnjë provë shkencore e verifikuar që konfirmon ekzistencën e saj. Antropologët dhe studiuesit kanë shprehur skepticizëm edhe për dokumentet e sapopublikuara, duke theksuar se ato përmbajnë dëshmi historike dhe hetime, por jo prova që mund të vërtetojnë se Bigfoot ekziston.