Jennifer Lopez akuzon se raca e saj e ka penguar të marrë role në Hollywood
Këngëtarja dhe aktorja Jennifer Lopez ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale pas deklaratave të saj se prejardhja latine dhe fakti që nuk është e bardhë e kanë penguar të marrë role të rëndësishme në Hollywood.

Këngëtarja dhe aktorja e njohur Jennifer Lopez ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale pas deklaratave të saj se prejardhja latine dhe fakti që nuk është e bardhë e kanë penguar të marrë role të rëndësishme në Hollywood. Në një intervistë për gazetën prestigjioze The New York Times, ylli me origjinë portorikane u shpreh se mundësitë që i ofroheshin në fillimet e karrierës ishin shumë të kufizuara dhe se shpesh i është dashur të krijojë vetë hapësirën e saj në industrinë e filmit.
"Arsyeja, mendoj, është se thjesht nuk isha aktorja e zakonshme e bardhë", deklaroi Lopez, duke shtuar se sipas saj kjo situatë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në Hollywood. 57-vjeçarja theksoi se industria e filmit ka bërë përparime në drejtim të diversitetit, por sipas saj, aktorët që nuk përputhen me disa standarde të caktuara vazhdojnë të përballen me vështirësi.
Megjithatë, pretendimet e këngëtares nuk u pritën mirë nga të gjithë. Shumë përdorues të rrjeteve sociale vunë në dyshim deklaratat e saj, duke kujtuar suksesin e madh që ajo ka arritur në Hollywood gjatë dekadave të fundit. Bashkëprezantuesja e Fox News, Tomi Lahren, reagoi me ironi në platformën X, duke shkruar: "Hahaha, po, sigurisht". Ndërsa Oli London vuri në dukje se Lopez ka luajtur në 44 filma dhe se pasuria e saj vlerësohet në rreth 400 milionë dollarë. Kritika edhe më të ashpra erdhën nga aktorja Adrianne Curry-Rhode, e cila i cilësoi deklaratat e këngëtares si "mashtrim në një nivel tjetër".