Dhoma e Këshillimit: Ku Drejtësia Humbet Në Letra
Gjykata e Lartë e Shqipërisë po gjykon një numër të madh çështjeve në Dhomën e Këshillimit, duke shqetësuar se kjo praktikë mund të humbasë nga kuptimi i drejtësisë dhe të njeriut.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë gjykon thuajse ekskluzivisht në Dhomën e Këshillimit, duke krijuar një problem serioz me vetë kuptimin e drejtësisë. Një praktikë që, përtej justifikimeve procedurale, ka shndërruar njeriun në një grumbull letrash që përmbajnë grumbuj fjalësh. Njeriu që kërkon lirinë nuk ka mundësi të u drejtohet drejtpërdrejt gjyqtarëve që vendosin për të.
Ilir Meta, si shumë të paraburgosur të tjerë afatgjatë, nuk ka mundësi të shpjegojë në një sallë gjyqi të Gjykatës së Lartë çfarë do të thotë të jetojë për një kohë të gjatë në paraburgim, ndërkohë që ende nuk është shpallur fajtor. Gjykata e Lartë nuk e sheh si njeri që kërkon lirinë, por si një rekurs që kërkon përgjigje.
Kushtetuta garanton procesin e rregullt ligjor dhe të drejtën për të u dëgjuar. Por kur në diskutim është liria e njeriut, sidomos pas një paraburgimi të gjatë, dëgjimi i drejtpërdrejtë nuk mund të trajtohet si një formalitet i panevojshëm. Dhoma e Këshillimit, në formën e saj të zakonshme pa praninë e palëve, nuk garanton debat gojor. Ajo e zëvendëson të drejtën për të folur me mundësinë për të shkruar.
Por e drejta për të shkruar dhe mundësia për të u dëgjuar nuk janë e njëjta gjë. Shkrimi është statik, ndërsa debati gjyqësor është dinamik. Mendimi zhvillohet, argumenti përballet me kundërshtimin, pyetja provokon përgjigjen dhe përgjigjja mund të ndryshojë mënyrën se si gjyqtari e kupton çështjen.
Në sallën e gjyqit, gjyqtari nuk është thjesht lexues. Ai është pjesëmarrës aktiv në kërkimin e së vërtetës juridike. Por ka edhe diçka tjetër që letra nuk e përcjell dot: emocionin njerëzor. Drejtësia nuk është matematikë. Dhe gjykimi i njeriut nuk mund të zhvishet nga dimensioni njerëzor i tij.
Emocioni nuk është provë dhe nuk duhet të zëvendësojë ligjin. Por ai është pjesë e realitetit që gjykata duhet të kuptojë. Ankthi i izolimit, pasiguria për të ardhmen, lodhja nga pritja e pafundme dhe ndjesia e të qenit i harruar nuk janë argumente për pafajësi. Janë, megjithatë, realitete që kanë rëndësi kur gjykohet mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e vazhdimit të paraburgimit.
Humanizmi i drejtësisë nuk qëndron te mëshira e gjyqtarit, por te aftësia e tij për të kuptuar njeriun mbi të cilin ushtron pushtet. Një gjykatë që nuk dëgjon rrezikon ta humbasë këtë aftësi. Sigurisht, Gjykata e Lartë është gjykatë ligji dhe jo një shkallë e tretë për rigjykimin e fakteve. Por ky funksion nuk e pengon të dëgjojë palët. Përkundrazi, debati gojor mund ta ndihmojë të kuptojë më mirë pikërisht problemin juridik që duhet të zgjidhë.