Vuçiç paralajmëron se do të nisë grevë urie në rast arrestimi
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se do të nisë grevë urie në rast se dikush tenton ta arrestojë, duke pretenduar se një veprim i tillë do të nxiste daljen e një milion njerëzve në rrugë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në Parlamentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se në rast se dikush tenton ta arrestojë, do të nisë grevën e urisë. Ai ka pretenduar se një veprim i tillë do të nxiste daljen e një milion njerëzve në rrugë, duke pyetur "E çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në sekondën kur kjo të ndodhte?".
Vuçiç ka folur edhe për mundësinë e pjesëmarrjes së SNS-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, duke deklaruar se personalisht është më shumë për opsionin që SNS të mos marrë pjesë në to. Sipas tij, pjesëmarrja në zgjedhje në rrethanat aktuale do t’u jepte legjitimitet kundërshtarëve politikë.
Ai ka kritikuar gjithashtu përfaqësuesit e Listës Studentore, duke pretenduar se synimi i tyre është t’u bëjnë dëm njerëzve që nuk i pëlqejnë. Vuçiç ka bërë të ditur gjithashtu se në kryesinë e partisë pritet të ketë ndryshime dhe përfshirje të rreth 1.000 anëtarëve të rinj në Këshillin Kryesor. Vendimi përfundimtar, sipas tij, do të merret në kuvendin e SNS-së më 13 dhjetor.