Biznesmeni Klodian Allajbeu Nis Padinë kundër VNA-së, Kërkon 50 Mijë Euro dhe Fshirjen e Investigimeve
Biznesmeni Klodian Allajbeu ka nisur një padinë kundër portalit investigativ VNA.al, duke kërkuar 50 mijë euro dëmshpërblim dhe fshirjen e investigimeve që lidhen me tenderët dhe koncesionet publike në sektorin e shëndetësisë.

Biznesmeni Klodian Allajbeu, pronari i Spitalit Amerikan dhe Hygeia-s, ka nisur një padinë kundër portalit investigativ VNA.al, duke kërkuar 5 milionë lekë (rreth 50 mijë euro) dëmshpërblim, fshirjen e artikujve investigativë dhe përgënjeshtrimin e tyre. Padia është depozituar më 28 shtator 2026 në Gjykatën e Tiranës dhe lidhet me një seri investigimesh mbi tenderët, koncesionet dhe kontratat publike në sektorin e shëndetësisë, ku përmenden kompani të lidhura me biznesmenin.
Investigimet e VNA-së kanë ngritur pyetje mbi procedurat e prokurimit, përfshirë një tender ku kompania "Evita" rezultonte ofertuesja e vetme, me një ofertë sa 99.7% e fondit limit, si dhe një tjetër procedurë ku ishte skualifikuar operatori me ofertën më të ulët. Redaksia e VNA-së e konsideron padinë si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj gazetarisë investigative, duke e cilësuar si një proces me tipare SLAPP (Strategic Lawsuit Against Public Participation).
VNA deklaron se investigimet e saj mbështeten në dokumente dhe se do të kërkojë rrëzimin e padisë. Ndërkohë, Allajbeu njihet dhe si një nga përfiteurit e dy koncesioneve në Shqipëri, atë të hemodializës dhe laboratorit, që çuditërisht SPAK mbylli sytë dhe nuk i hetoi asnjëherë. Rasti ngre një shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri: a mund të kthehen kërkesat për dëmshpërblime të mëdha dhe fshirjen e investigimeve në mjete presioni ndaj gazetarëve që hetojnë përdorimin e fondeve publike?