Dubai po bëhet më pak i sigurt për kriminelët, 16 shqiptarë ekstraduar
Dubai, qyteti në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shtuar bashkëpunimin me qeveritë e huaja, po godit personat e kërkuar nga drejtësia, duke përfshirë 16 shqiptarë të ekstraduar.

Në kuadër të operacioneve të bashkëpunimit ndërkombëtar, Emiratet e Bashkuara Arabe po shtojnë goditjet ndaj personave të kërkuar nga drejtësia. Nga arrestimi i bosit të mafias irlandeze Daniel Kinahan deri te sekuestrimi i pasurive të klaneve të drogës në Marsejë, Dubai po ndryshon imazhin e saj si strehë e sigurt për kriminelët.
Sipas burimeve të cituara nga The Wall Street Journal, 16 shtetas shqiptarë janë ekstraduar në kuadër të këtyre operacioneve, krahas dhjetëra personave nga vende të tjera evropiane. Ky ndryshim i qasjes lidhet edhe me interesat diplomatike të Emirateve, të cilat po kërkojnë të forcojnë marrëdhëniet me vendet e tjera dhe të fitojnë mbështetje ndërkombëtare.
Autoritetet kanë arrestuar figura të njohura të mafias, si irlandezin Daniel Kinahan dhe një figurë të njohur të mafias greko-ruse, i identifikuar me nofkën “Endik”. Ekstradimet kanë përfshirë edhe persona nga vende aziatike dhe individë të dyshuar për mashtrime kibernetike. Operacionet kanë çuar gjithashtu në sekuestrimin e pasurive me vlerë miliarda dollarë, të lidhura me mashtrime online dhe rrjete kriminale që vepronin nga Dubai.
Megjithatë, sipas ekspertëve të krimit, disa prej bosëve kriminalë kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes drejt vendeve të tjera, më pak të ekspozuara ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar. Dubai vijon të mbetet një qendër financiare për individë të lidhur me aktivitete të dyshimta, duke përfshirë ndërmjetës që menaxhojnë kapitalin e Gardës Revolucionare iraniane dhe oligarkë rusë të prekur nga sanksionet.