Sigurimi i makinave mund të shtrenjtohet me projektligjin e ri
Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm TPL parashikon dëmshpërblim për pasagjerët e makinës që shkakton aksidentin, duke zgjeruar mbulimin e dëmeve dhe duke mundësuar një mbulim më të gjerë për të dëmtuarit.

Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm TPL mund të sjellë një rritje në çmimin e sigurimit për drejtuesit e automjeteve. Eksperti për Tregjet Financiare, Artur Ribaj, thotë se zgjerimi i kategorive që përfitojnë dëmshpërblim nga sigurimi i detyrueshëm TPL mund të ndikojë në çmimin e sigurimit duke iu afruar gradualisht niveleve evropiane.
Me projektligjin e ri, pasagjerët që ndodhen në makinën që shkakton aksidentin do të dëmshpërblehen, duke zgjeruar mbulimin e dëmeve. Ky ndryshim mund të ndikojë në çmimin e sigurimit, por eksperti thotë se çmimi nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, por të marrë në konsideratë sjelljen e drejtuesit dhe karakteristikat e automjetit.
Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën e trajtimit të dëmeve, duke përfshirë rritjen e pragut për procedurën e përshpejtuar të dëmshpërblimit dhe kufirin e dëmeve që mund të trajtohen përmes Raportit Evropian të Aksidentit. Byroja Shqiptare e Sigurimit parashikohet të ketë një rol të qartë në administrimin e Fondit të Kompensimit dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Me këto ndryshime, projektligji synon të zgjerojë mbrojtjen e të dëmtuarve dhe të përshpejtojë dëmshpërblimin. Por për drejtuesit e automjeteve mbetet për tu parë se si zgjerimi i mbulimit do të reflektohet në çmimin e sigurimit TPL.