Shqipëria importon vaj palme pa sqaruar destinacionin
Shqipëria ka importuar rreth 7.3 milionë litra vaj palme gjatë periudhës 2025-2026, por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka dhënë informacion mbi përdorimin e tij në industri të ndryshme.

Rreth 7.3 milionë litra vaj palme janë importuar në Shqipëri gjatë periudhës 2025-2026. Mbetet e paqartë se në cilat produkte dhe biznese përfundon kjo sasi, pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka dhënë informacion mbi destinacionin e këtij produkti.
Ekspertja e sigurisë ushqimore, Onejda Kyçyku, shpjegon se vaji i palmës nuk përdoret vetëm në industrinë e përpunimit të ushqimit, por edhe nga bizneset e vogla, si restorantet dhe fast-food-et. Sipas saj, për të ulur kostot, disa biznese mund ta përdorin atë për skuqjen e perimeve dhe mishit, ndërsa prania e vajit të palmës është e përhapur edhe në pastiçeri, ëmbëlsira dhe akullore.
Vaji i palmës nuk është një produkt i ndaluar, por shqetësimi lidhet me mënyrën dhe shpeshtësinë e përdorimit të tij. Ekspertja paralajmëron se rreziku shtohet veçanërisht kur vaji përdoret vazhdimisht për skuqje në temperatura të larta. Kur temperatura e vajit arrin 150-200 gradë Celsius dhe ai ripërdoret disa herë, krijohen komponime që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut.
Përdorimi i vajit të palmës në produktet e qumështit mund të ndryshojë cilësinë dhe vlerat e tyre ushqyese, pasi zëvendëson një pjesë të yndyrave me origjinë shtazore dhe shoqërohet me humbje të disa vlerave ushqyese, përfshirë vitaminat. Sipas legjislacionit për ushqimin dhe rregullave për etiketimin, përbërësit e përdorur në produktet ushqimore duhet të deklarohen, në mënyrë që konsumatorët të informohen për atë që blejnë dhe konsumojnë.