Numri i të vrarëve rusë në luftën me Ukrainën: Mbi 460 mijë që nga fillimi i pushtimit
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka kushtuar jetën e mbi 460 mijë rusë që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, me humbje të mëdha gjatë vitit 2025.

Më shumë se 460 mijë rusë kanë humbur jetën në luftën kundër Ukrainës që prej nisjes së pushtimit në shkurt të vitit 2022, ndërsa humbjet e ushtrisë së Vladimir Putinit arritën nivele rekord gjatë vitit 2025. Këto janë përfundimet e një investigimi të publikuar nga media britanike "The Guardian", bazuar në analizën e një arkivi me më shumë se 11 milionë certifikata vdekjeje të siguruara nga grupi bjellorus i hakerave "Cyber Partisans" dhe kolektivi ukrainas "Silent Crow".
Dokumentet, të përpiluara nga agjencia shtetërore ruse e statistikave, Rosstat, mbi bazën e regjistrave civilë në të gjithë vendin, ofrojnë një panoramë të detajuar të humbjeve njerëzore të Rusisë në këtë luftë. Sipas analizës, nga fillimi i pushtimit deri në shtator 2026 janë identifikuar më shumë se 460 mijë vdekje të lidhura me konfliktin, duke e bërë luftën shkakun kryesor të vdekjes për burrat rusë nën moshën 65 vjeç gjatë vitit 2025.
Bilanci është përkeqësuar ndjeshëm nga viti në vit. Gjatë vitit të parë të pushtimit u regjistruan afro 20 mijë vdekje, ndërsa në vitin 2023 numri arriti në rreth 50 mijë. Në vitin 2024, humbjet tejkaluan dyfishimin, duke kaluar 134 mijë, ndërsa në vitin 2025 u rritën me 52% të tjera, duke iu afruar 200 mijë viktimave.
Ky rezulton viti më i përgjakshëm i luftës, me një mesatare prej rreth 548 ushtarësh të vrarë çdo ditë, krahasuar me mesataren prej 277 viktimash në ditë që prej fillimit të pushtimit. Një nga momentet më të rënda u regjistrua gjatë javës që nisi më 5 maj 2025, kur ushtria ruse humbi më shumë se 5 mijë ushtarë. Në atë periudhë, numri i të vrarëve arriti deri në 720 në ditë, niveli më i lartë i regjistruar gjatë luftës.
Të paktën një e treta e humbjeve ndodhën në zonën e Pokrovskut, ku Moska kishte angazhuar dhjetëra mijëra trupa në ofensivën pranverore. Mes viktimave ishte edhe 52-vjeçari Aleksandër Korepanov, i cili ishte regjistruar për të luftuar në gusht të vitit 2023. Ai ishte plagosur dy herë dhe në të dyja rastet ishte rikthyer në front. Më 11 maj 2025, pas 20 muajsh në luftë, u vra në fshatin Uspenovka, pranë Pokrovskut, në lindje të Ukrainës.
Përmaset e humbjeve janë të jashtëzakonshme edhe në krahasim me konfliktet e mëparshme ku është përfshirë Rusia. Gjatë nëntë viteve të luftës sovjetike në Afganistan u vranë rreth 15 mijë ushtarë, sipas shifrave zyrtare, ndërsa viti më i përgjakshëm i atij konflikti, 1984, regjistroi rreth 2.300 viktima. Në Ukrainë, gjatë vitit 2025, Rusia po humbiste një numër të ngjashëm ushtarësh afërsisht çdo katër ditë.
Krahasimi me luftërat amerikane në Irak dhe Afganistan është po ashtu domethënës. Vetëm gjatë javës së parë të majit 2025, ushtria ruse humbi më shumë ushtarë sesa numri i amerikanëve të vrarë gjatë tetë viteve të luftës në Irak, ku humbën jetën rreth 4.500 ushtarakë amerikanë. Në dy dekada të luftës në Afganistan, Shtetet e Bashkuara humbën rreth 2.400 pjesëtarë të forcave të tyre.
Megjithatë, numri real i viktimave ruse mund të jetë edhe më i lartë. Sipas analizës, vdekjet e ushtarëve të zhdukur regjistrohen shpesh me muaj apo vite vonesë, pasi gjenden trupat ose gjykatat i shpallin ata zyrtarisht të vdekur. Për më tepër, disa raste nuk regjistrohen kurrë, ndërsa një pjesë e ushtarëve vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur. Të dhënat për vitin 2026 janë gjithashtu dukshëm më të pakta, pavarësisht intensitetit të lartë të luftimeve.
Analiza përfshin certifikatat ku vdekja klasifikohet si e lidhur me luftën ose ku konflikti përmendet si shkak i saj, si dhe rastet kur profesioni i personit shënohet si ushtarak. Kjo metodologji mund të përfshijë edhe disa civilë, ndërsa nuk përfshin të gjitha kategoritë e personave të vrarë.
Pavarësisht humbjeve të mëdha njerëzore, përparsi territorial i Rusisë ka qenë i kufizuar. Që nga fillimi i vitit 2023, Moska ka fituar rreth 8 mijë kilometra katrorë territor, më pak se 1,5% e sipërfaqes së Ukrainës, sipas të dhënave të grupit ukrainas të monitorimit DeepState.