Sigurimi i makinave mund të shtrenjtohet me projektligjin e ri
Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm TPL mund të sjellë një rritje në primin e sigurimit për drejtuesit e automjeteve, duke përfshirë edhe pasagjerët që ndodhen në makinën që shkakton aksidentin.

Projektligji i ri parashikon që në rast aksidenti të dëmshpërblehen edhe pasagjerët që ndodhen në automjetin që shkakton aksidentin. Deri më tani kjo kategori nuk përfshihej në të njëjtën mënyrë në skemën e mbulimit. Eksperti për Tregjet Financiare, Artur Ribaj, thotë se zgjerimi i kategorive që përfitojnë dëmshpërblim nga sigurimi i detyrueshëm TPL mund të sjellë një efekt për drejtuesit e automjeteve, rritjen e primit të sigurimit.
Një mbulim më i gjerë i dëmeve mund të ndikojë edhe në çmimin e sigurimit duke iu afruar gradualisht niveleve evropiane. Megjithatë, çmimi nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, por të marrë në konsideratë sjelljen e drejtuesit dhe karakteristikat e automjetit. Ribaj thotë se mesatarisht, një makinë në Shqipëri është e siguruar në kufirin e 220 eurove në vit, por me projektligjin e ri, do të kemi tendencën që të shkojmë drejt një mesatareje të Bashkimit Europian që do të shkojë rreth 400 eurove.
Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën e trajtimit të dëmeve. Pragu për procedurën e përshpejtuar të dëmshpërblimit rritet nga 100 mijë në 250 mijë lekë, dhe kufiri i dëmeve që mund të trajtohen përmes Raportit Evropian të Aksidentit rritet nga 30 mijë në 50 mijë lekë. Një tjetër ndryshim lidhet me Byroja Shqiptare e Sigurimit, e cila parashikohet të ketë një rol të qartë në administrimin e Fondit të Kompensimit dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Me këto ndryshime, projektligji synon të zgjerojë mbrojtjen e të dëmtuarve dhe të përshpejtojë dëmshpërblimin. Por për drejtuesit e automjeteve mbetet për tu parë se si zgjerimi i mbulimit do të reflektohet në çmimin e sigurimit TPL.