Rusia mund të lëshojë satelit me koka bërthamore në orbitë
Inteligjenca gjermane paralajmëron se Rusia mund të lëshojë një satelit me koka bërthamore në orbitë, duke shkelur Traktatin e vitit 1967 për përdorimin paqësor të hapësirës së jashtme.

Shërbimi inteligjencës gjermane dhe ushtria e disa vendeve të NATO-s dyshojnë se Moska po përgatit një hap të tillë. Lajmi është publikuar nga gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung", e cila citon raporte të shkëmbyera së fundmi mes vendeve aleate.
Sipas raportimeve, në këto vlerësime janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) dhe Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND). Ekspertët e ushtrisë gjermane thuhet se kanë informuar edhe zyrtarë të lartë politikë në Berlin për planet e dyshuara të Rusisë, mes tyre ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Të dhënat e inteligjencës pretendojnë se sateliti, i identifikuar me emrin "Sputnik-S", është ndërtuar plotësisht dhe ndodhet i magazinuar në një bazë në zonën e Moskës, në pritje të një vendimi për lëshimin e tij. Nëse këto plane do të realizoheshin, Rusia do të shkelte Traktatin e vitit 1967 për përdorimin paqësor të hapësirës së jashtme, i cili ndalon vendosjen në orbitën e Tokës të objekteve që mbartin armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë.
Ndërkohë, Kremlini ka reaguar duke mohuar se ka dijeni për një plan të tillë. Zëdhënësi i Presidencës ruse, Dmitry Peskov, deklaroi se autoritetet ruse nuk kanë informacion për raportimet e mediave gjermane lidhur me një satelit bërthamor që mund të lëshohet deri në fund të vitit. Peskov kritikoi raportimet e mediave perëndimore, duke thënë se ato publikojnë vazhdimisht informacione për "mundësi të supozuara" dhe pretendime që bazohen në burime të panjohura, të cilat, sipas tij, janë të vështira të merren seriozisht.