Dubai ndryshon qasje ndaj krimit të organizuar, ekstradon dhjetëra të kërkuar ndërkombëtarisht
Dubai po ndryshon qasjen ndaj personave të shumëkërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, duke shtuar arrestimet dhe ekstradimet e figurave të rëndësishme të krimit të organizuar.

Dubai duket se po ndryshon qasje ndaj personave të shumëkërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, duke shtuar arrestimet dhe ekstradimet e figurave të rëndësishme të krimit të organizuar, të cilët prej vitesh kishin gjetur strehë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Autoritetet emiratase kanë intensifikuar bashkëpunimin me qeveritë e huaja dhe kanë ekstraduar një numër të konsiderueshëm personash të kërkuar për vepra të rënda penale.
Mes tyre rezultojnë 28 shtetas francezë, 23 belgë, 16 shqiptarë, rreth një duzinë danezë dhe holandezë, si dhe persona nga vende të ndryshme aziatike, përfshirë edhe mashtrues të përfshirë në krime kibernetike. Ndryshimi i kursit është shoqëruar me disa operacione të bujshme, duke përfshirë arrestimin e të dyshuarit si organizator të një atentati të parandaluar në Qipro dhe arrestimin e Endik, i njohur edhe si “Zëri” apo “Fantazma”, i konsideruar si një nga figurat kryesore të mafies greko-ruse.
Për vite me radhë, autoritetet greke dyshohet se e dinin se ai jetonte në Emiratet, por nuk kishin arritur të siguronin arrestimin e tij. Zbulimi i vendndodhjes së tij u bë i mundur pas një video-telefonate me një grua në Qipro, gjatë së cilës ai shfaqi pa dashje fytyrën. Një tjetër emër i njohur i botës së krimit që përfundoi në prangat e autoriteteve ishte irlandezi Daniel Kinahan, drejtues i klanit kriminal që mban emrin e tij dhe që lidhet me të ashtuquajturin “superkartel”. Ai u ekstradua në muajin gusht, pas një periudhe të gjatë në të cilën kishte qenë në kërkim të autoriteteve amerikane dhe europiane.
Arrestimi dhe ekstradimi i tij konsiderohen një moment simbolik në ndryshimin e qasjes së Emirateve ndaj kriminelëve ndërkombëtarë, një proces që, sipas raportimit, kishte nisur të merrte hov rreth vitit 2024. Dubai, nga strehë e kriminelëve në objektiv të operacioneve ndërkombëtare, po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me qeveritë e huaja dhe të përmirësojë imazhin e tyre ndërkombëtar, duke larguar etiketimin si një strehë e sigurt për trafikantët e drogës, pastruesit e parave dhe personat në arrati nga drejtësia.