NATO dërgon avionë radarë në Poloni pas incidentit me raketat ruse
NATO ka autorizuar dislokimin e një avioni të paralajmërimit dhe kontrollit të hershëm ajror AWACS në Poloni, pas incidentit të së premtes, kur tri raketa ruse hynë në hapësirën ajrore polake dhe ranë në territorin e vendit anëtar të Aleancës.

NATO ka autorizuar dislokimin e një avioni të paralajmërimit dhe kontrollit të hershëm ajror AWACS në Poloni, pas incidentit të së premtes, kur tri raketa ruse hynë në hapësirën ajrore polake dhe ranë në territorin e vendit anëtar të Aleancës. Vendimi është marrë nga komandanti suprem i forcave aleate në Evropë (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, dhe është konfirmuar zyrtarisht nga NATO.
Dislokimi synon të forcojë aftësitë e mbikëqyrjes dhe paralajmërimit të hershëm në kufirin lindor të Aleancës, ndërsa incidenti ka shtuar shqetësimet për rrezikun e përhapjes së luftës në Ukrainë në territorin e vendeve të NATO-s. Zëvendës ministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, njoftoi vendimin pas një takimi të Aleancës në Bruksel.
Sipas Zalewskit, sistemi do t'u mundësojë forcave polake një pamje më të plotë të situatës operacionale, duke përmirësuar aftësinë për t'iu përgjigjur kërcënimeve të ngjashme. NATO konfirmoi gjithashtu se komandanti suprem po shqyrton dislokimin e kapaciteteve të tjera ushtarake, në kuadër të vlerësimit të vazhdueshëm të qëndrimit mbrojtës dhe parandalues të Aleancës në Poloni dhe në rajone të tjera.