Avokati i Veliaj: Kryebashkiaku ka dyshime për operacionin e këmbës
Avokati i Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka shprehur dyshimet e kryebashkiakut të Tiranës për operacionin e këmbës, i cili do të zhvillohet në Spitalin Memorial në Fier.

Plarent Ndreca, avokat i Erion Veliaj, ka komentuar deklaratën e kryebashkiakut të Tiranës, i cili ka shprehur se nuk ia beson kryeministrit Edi Rama operacionin e këmbës. Sipas Ndrecës, dyshimet e Veliajt janë të kuptueshme, pasi operacioni në Spitalin Memorial në Fier organizohet nga i njëjti institucion që, sipas tij, ka përgjegjësi për internimin politik të kryebashkiakut.
Ndreca tha se ndëhyrja kirurgjikale ishte planifikuar pa dijeninë dhe miratimin e tyre, duke theksuar se asnjë vizitë apo operacion nuk mund të organizohet pa konfirmimin e pacientit. Ai ngriti shqetësime për mënyrën se si Drejtoria e Burgjeve ka trajtuar këtë çështje, duke kujtuar se një person i paraburgosur ka të drejtën të zgjedhë mjekun e tij, me shpenzimet personale.
Ndreca theksoi se është e kuptueshme që Veliaj të ketë rezerva për një ndëhyrje kirurgjikale nën narkozë, kur organizimi i saj bëhet nga i njëjti institucion që, sipas pretendimeve të tij, ka qenë i përfshirë në transferimin e tij. "Veliaj nuk është i sigurt se çfarë mund të ndodhë gjatë një operacioni që është organizuar nga i njëjti institucion që, sipas tij, e ka internuar", tha Ndreca.