Gjendet i pajetë në Romë një 58-vjeçar që kishte shpallur grevë urie
Një 58-vjeçar pa banesë është gjetur i pajetë në një tendë përpara Universitetit "La Sapienza" në Romë, pasi kishte shpallur grevë urie.

Një ngjarje tragjike u regjistrua në Romë të Italisë, ku një 58-vjeçar u gjet i pajetë brenda një tende të ngritur përpara Universitetit "La Sapienza". Viktima u identifikua si Alessandro Ingusci, një person pa banesë të përhershme, i cili kishte zgjedhur të qëndronte në një tendë pranë sheshit të universitetit.
Sipas raportimeve paraprake, 58-vjeçari dyshohet se ka pësuar një gjendje të rënduar shëndetësore, e cila rezultoi fatale. Ingusci ishte në ndjekje të shërbimeve sociale dhe kishte lënë një mesazh në tabelën e një salle të Fakultetit të Fizikës, ku njoftonte se kishte nisur një grevë urie. Në shënimin e tij, ai kishte bërë të ditur gjithashtu se ishte regjistruar në vitin e parë të studimeve në këtë fakultet dhe se kishte një shkallë invaliditeti prej 50%.
Pas konstatimit të vdekjes, në vendngjarje mbërritën efektivët e Policisë së Shtetit dhe specialistët e policisë shkencore, të cilët kryen këqyrjen dhe veprimet përkatëse hetimore. Trupi i pajetë i 58-vjeçarit u vënë në dispozicion të mjekut ligjor, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten për t'u sqaruar.