Protestat masive në Francë: E majta radikale në rrugë
Franca po përjeton një periudhë të trazuar me protesta masive kundër rritjes së çmimeve, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe dhunës policore, duke shkaktuar debate mbi identitetin dhe ndikimin e grupeve të ekstremit të majtë.

Franca po kalon një periudhë të trazuar, e karakterizuar nga borxhi i lartë publik, pakënaqësia sociale dhe protestat masive kundër rritjes së çmimeve, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe asaj që demonstruesit e cilësojnë si dhunë policore. Demonstratat kanë hyrë në javën e gjashtë radhazi, ndërsa përveç protestave paqësore janë regjistruar edhe akte dhune, grabitje dhe dëmtime të pronës private.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka fajësuar për trazirat grupet e ekstremit të majtë dhe personat që ai i cilëson si delinkuentë, duke pretenduar se synimi i tyre është rrëzimi i Republikës Franceze. Megjithatë, identiteti, organizimi dhe ndikimi real i këtyre grupeve mbeten objekt debati.
Në rrugët e Parisit, gazetarja e BBC-së, Katya Adler, ka takuar disa protestues të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, të lidhur me të ashtuquajturin lëvizje "Black Bloc". Këto grupe shfaqen shpesh në demonstratat evropiane, veçanërisht në momentet kur protestat paqësore përfundojnë dhe përplasjet me Policinë intensifikohen.
Një 18-vjeçar, i identifikuar me pseudonimin Nas, i tha BBC-së se dhuna është e vetmja mënyrë për t'u dëgjuar nga autoritetet. Ai dhe shokët e tij, të ardhur nga zona periferike të qyteteve franceze, përmendën problemet në shkolla, mungesën e mundësive për punësim dhe pabarazinë sociale si arsyet kryesore të zemërimit të tyre.
Ata mohuan se ishin organizuar apo drejtuar nga e majta radikale, duke këmbëngulur se vepronin nga pakënaqësia personale. "Black Bloc" nuk është një organizatë e vetme, por një teknikë. Disa prej tyre përdorin dhunën për të arritur reforma qeveritare. Unë dua të sjell një revolucion, deklaroi një aktivist 17-vjeçar për BBC-në.
Rrjetet sociale dhe aplikacionet e komunikimit, si Signal dhe Telegram, luajnë gjithashtu një rol në koordinimin e protestuesve dhe organizimin e takimeve gjatë demonstratave. Disa aktivistë të së majtës radikale i justifikojnë përplasjet duke pretenduar se dhuna më e madhe vjen nga vetë shteti.
Përplasjet e muajit të kaluar shkaktuan pasoja të rënda. Sipas raportimit të BBC-së, më shumë se 1.000 efektivë policie u plagosën, ndërsa disa protestues pësuan dëmtime serioze, përfshirë humbjen e gjymtyrëve. Federata Franceze e Sigurimeve vlerësoi se dëmet ndaj dyqaneve dhe pronës private vetëm më 17 tetor arritën rreth 207 milionë euro.
Që prej asaj kohe, autoritetet kanë shtuar ndjeshëm praninë policore në demonstrata, duke përdorur gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe granata trullosëse. Tensionet shtrihen edhe jashtë Parisit, ku lëvizjet më të organizuara të së majtës radikale janë të pranishme edhe në zonat rurale të Francës, ku ndërthuren aktivizmi mjedisor, anarkizmi dhe veprimet e sabotimit.