Tarifa e re për ujë: Pagesë me fasha për familjet dhe bizneset
Enti Rregullator i Ujit ka miratuar mekanizmin e fashave të mbikonsumit, duke përcaktuar pragjet për familjet, institucionet publike dhe bizneset.

Enti Rregullator i Ujit ka miratuar mekanizmin e fashave të mbikonsumit, duke përcaktuar pragjet për familjet, institucionet publike dhe bizneset. Familjet që konsumojnë mbi 18 m³ ujë në muaj mund të paguajnë më shtrenjtë për sasinë që kalon këtë prag.
Për familjet, konsumi deri në 18 m³ në muaj do të faturohen me tarifën bazë të miratuar. Për sasinë 18 - 30 m³, tarifa për metër kub mund të shumëzohet me një koeficient nga 1 deri në 3. Për sasinë mbi 30 m³, koeficienti varion nga 1.5 deri në 4.
Për institucionet publike dhe bizneset, kufiri i konsumit bazë do të përcaktohet sipas mesatares mujore të konsumit të vitit të fundit. Fasha e dytë përfshin sasinë mbi këtë mesatare deri në trefishin e saj, ndërsa fasha e tretë zbatohet për sasinë mbi trefishin.
Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve mund të propozojnë koeficientët bashkë me kërkesën për tarifa të reja ose përmes një aplikimi të veçantë. Ato duhet të paraqisin të dhëna për konsumin, kapacitetet e furnizimit dhe mënyrën se si planifikojnë të përdorin të ardhurat shtesë.