Komisioni i Parlamentit rrëzon nismën për ndalimin e bojkotit të avokatëve
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ka rrëzuar nismën ligjore të deputetit Tedi Blushi për ndalimin e bojkotit të avokatëve kur ai pengon zhvillimin e proceseve gjyqësore.

Me 7 vota kundër, asnjë pro dhe asnjë abstenim, Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi në parim nismën ligjore të deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që synonte ndalimin e bojkotit të avokatëve kur ai pengon zhvillimin e proceseve gjyqësore. Projektligji për disa shtesa në ligjin nr. 55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, shkaktoi debate mes deputetëve dhe kryetarit të Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, lidhur me pavarësinë e profesionit dhe pasojat e bojkotit të seancave gjyqësore.
Gjatë prezantimit të nismës, Blushi deklaroi se konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës së Avokatisë solli shtyrjen e gati 700 seancave gjyqësore, duke cenuar të drejtat e personave nën hetim dhe të paraburgosurve. Ai theksoi se ky projektligj synon të vendosë një standard ligjor që harmonizon pavarësinë e avokatisë me detyrimin për të mos penguar funksionimin e procesit gjyqësor.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, kundërshtoi nismën, duke argumentuar se duhet të analizohen shkaqet që çuan në bojkotin e seancave gjyqësore dhe jo vetëm pasojat e tij. Sipas Haxhisë, kërkesat për zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut me GJKKO-në, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Presidentin e Republikës ishin injoruar. Ai theksoi se legjislacioni aktual përmban instrumentet e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë së avokatisë, duke sjellë si shembull ndërprerjen e bojkotit menjëherë pas vendimit të Gjykatës Administrative.
Kreu i Dhomës së Avokatisë drejtoi kritika edhe ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor për menaxhimin e situatës, duke argumentuar se mosfunksionimi i këtij institucioni nuk duhet të shërbejë si shkak për ndërhyrje në ligjin për avokatinë. Ai deklaroi se nuk mund të godasësh avokatinë pse nuk funksionon KLGJ-ja, kur ata janë qeveria e gjyqësorit dhe duhet të menaxhojnë gjithë sistemin e jo të mbyllin dyert.
Ndërkohë, kryetarja e komisionit, Iris Luarasi, pranoi se kohëzgjatja e paraburgimit në Shqipëri përbën një problem, duke iu referuar edhe konstatimeve të Këshillit të Evropës. Megjithatë, ajo vuri në pikëpyetje nëse nisma e Blushit do t’i jepte zgjidhje kësaj situate, pa cenuar pavarësinë e profesionit të avokatit. Deputeti i opozitës, Arjan Ndoja, kërkoi një diskutim më të gjerë institucional, duke propozuar zhvillimin e një mbledhjeje të përbashkët me komisionet e tjera parlamentare, ku të thirreshin edhe përfaqësues të KLGJ-së, GJKKO-së dhe SPAK-ut.