Përplasje ndërmjet Ballës dhe Zhupës në Komisionin e Kulturës
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, janë në konflikt të hapur gjatë diskutimeve për projektligjin "Për sponsorizimet".

Diskutimet për projektligjin "Për sponsorizimet" në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën janë shoqëruar me përplasje të forta mes kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe kryetares së komisionit, Ina Zhupa. Debati për kohën e fjalës është zhvilluar në tone të larta, ndërsa Zhupa i ka kujtuar Ballës se ndodhej në një komision parlamentar dhe jo në një mbledhje të Partisë Socialiste.
Balla ka kaluar nga diskutimi për kohën e fjalës te paralajmërimi për shkarkimin e kryetares së komisionit, duke deklaruar se mund të mbledhë firma për largimin e saj. "Jo vetëm që të tërheq vëmendjen, por unë të mbledh firma dhe të të shkarkoj në mes të seancës plenare. Kjo është që ta dish ti. Ose mëso sillu me njerëzit këtu", është shprehur Balla.
Deputetja e PD, Ina Zhupa, i është kundërpërgjigjur duke i cilësuar deklaratat e tij si kërcënime dhe duke i kujtuar se nuk i takon mazhorancës të vendosë se kush do të përfaqësojë opozitën. "O zoti Balla, këto kërcënime, nuk vendosni ju se kush do jetë opozitë", ka deklaruar Zhupa.