Toka hapet papritur në Ankara dhe përpin kamion, shoferi shpëtohet me ekskavator
Një incident i pazakontë ka ndodhur në Ankara, ku toka ka shembur papritur në një parking, duke përpirë një kamion dhe lënë shoferin e bllokuar brenda.

Një incident i pazakontë është regjistruar në Ankara të Turqisë, ku toka është shembur papritur në parkingun e jashtëm të një qendre tregtare, duke bërë që një automjet i tonazhit të rëndë të përfundonte brenda gropës. Ngjarja ndodhi në qendrën tregtare Acity, në zonën Yenimahalle. Si pasojë e shembjes së tokës, automjeti që ndodhej në parking ra në kraterin e krijuar, ndërsa drejtuesi i tij mbeti i bllokuar brenda kabinës.
Për nxjerrjen e shoferit u desh ndërhyrja e një ekskavatori, me ndihmën e të cilit ai u shpëtua dhe u nxor nga automjeti. Pas incidentit, administrata e qendrës tregtare mori masa sigurie duke kufizuar hyrjen në zonën e shembur. Ndërkohë, ekipet nisën punën për nxjerrjen e automjetit nga gropa.