Nicolas Sarkozy dhe Carla Bruni: Akuzohen për manipulim dëshmitarësh dhe mashtrim
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, do të përballen me drejtësinë franceze për akuzat e manipulimit të dëshmitarësh dhe mashtrimit.

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, do të përballen sërish me drejtësinë franceze. Prokurorët në Paris kanë vendosur që çifti të dërgohet në gjyq, në kuadër të një hetimi për manipulim dëshmitarësh dhe pjesëmarrje në një komplot kriminal që synonte kryerjen e mashtrimit të organizuar.
Çështja, e njohur në Francë si “Sauver Sarko”, lidhet me rrethanat në të cilat ndërmjetësi franko-libanez Ziad Takieddine tërhoqi në nëntor të vitit 2020 akuzat kundër ish-presidentit francez. Hetuesit dyshojnë se ky ndryshim i qëndrimit të tij mund të jetë bërë në këmbim të parave. Takieddine, i cili ndërroi jetë më vonë, ishte një nga dëshmitarët kryesorë në çështjen që lidhet me dyshimet për financimin e fushatës presidenciale të Sarkozy-t në vitin 2007 nga ish-diktatori libian Muammar Gaddafi.
Në total, 11 persona do të përballen me drejtësinë në Gjykatën Penale të Parisit. Sipas kalendarit aktual, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet nga 3 nëntori deri më 2 dhjetor 2027. Nicolas Sarkozy dhe Carla Bruni akuzohen për “komplot për kryerjen e mashtrimit nga një grup i organizuar kriminal” dhe “mbulim të ryshfetit ndaj një dëshmitari”. Mes të pandehurve është edhe Michelle Marchand, e njohur si “Mimi Marchand”, e cila akuzohet për manipulim dëshmitarësh, pjesëmarrje në komplotin kriminal për mashtrim, si dhe për përgatitjen e ryshfetit ndaj zyrtarëve të huaj të drejtësisë.