Shqiptari Pandeli Nakoleci dënohet me burgim të përjetshëm në Greqi për vrasjen e bashkëshortes
Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm 41-vjeçarin shqiptar Pandeli Nakoleci për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, në fund të gushtit të vitit 2025, në qytetin e Volosit.

Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm 41-vjeçarin shqiptar Pandeli Nakoleci, i shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, në fund të gushtit të vitit 2025, në qytetin e Volosit. Krimi i rëndë ndodhi në banesën e familjes, ku Nakoleci goditi disa herë me sende të forta bashkëshorten e tij 36-vjeçare, në prani të katër fëmijëve të tyre.
Procesi gjyqësor nisi të enjten e kaluar dhe përfundoi të hënën, me shpalljen e vendimit. Gjykata e shpalli të pandehurin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Krahas burgimit të përjetshëm, ndaj tij u dha edhe një dënim prej një viti burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.
Gjatë gjykimit, pala që mbështeste akuzën ngriti pretendimet për dhunë të vazhdueshme psikologjike, verbale dhe fizike që Pandeli Nakoleci dyshohet se ushtronte ndaj bashkëshortes së tij. Sipas akuzës, vrasja ishte planifikuar paraprakisht dhe ishte kryer me dashje. Nga ana tjetër, gjatë mbrojtjes së tij, 41-vjeçari pretendoi se vuante nga probleme të shëndetit mendor, të cilat, sipas tij, së bashku me konfliktet dhe sjelljen e bashkëshortes, kishin ndikuar në kryerjen e krimit.
Megjithatë, gjykata pranoi kërkesën e prokurores, rrëzoi pretendimet e mbrojtjes për uljen e përgjegjësisë penale dhe nuk pranoi as rrethanat lehtësuese të kërkuara nga avokati. Në përfundim, Pandeli Nakoleci u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes, Marjola Nakoleci, si dhe me një vit burg për veprat e tjera penale.