Shqipëria në Skoci: Tradita dhe Kultura Shqiptare në Skenën e Edinburgut
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore shfaqi traditën dhe kulturën shqiptare në Edinburg, Skoci, përmes koncertit "Shqipëria në sytë e Bajronit", duke bashkuar publikun shqiptar dhe ndërkombëtar.

Një pjesë e Shqipërisë udhëtoi drejt Skocisë përmes muzikës, këngëve dhe valleve tradicionale, duke sjellë në skenë një pjesë të pasurisë sonë kulturore. Për herë të parë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore u ngjit në një skenën Skoceze, përmes koncertit artistik “Shqipëria në sytë e Bajronit”, i mundësuar nga Empowered Women of Diaspora.
Në sallën historike Assembly Rooms në Edinburg, artistët sollën për publikun shqiptar, skocez dhe atë ndërkombëtar një pjesë të pasurisë sonë kulturore. Përmes këngëve, valleve, kostumeve popullore dhe interpretimit skenik, u përcollën traditat dhe identiteti shqiptar, në një mbrëmje që ndërthurte artin me historinë dhe figurën e Lord Bajronit.
Spektakli iu dha edhe një dimension historik dhe artistik përmes figurës së poetit anglez Lord Bajron dhe lidhjes së tij me Shqipërinë. Historia e tij u soll në skenë përmes interpretimit të aktorit Robert Wilton, i cili mishëroi figurën e poetit, duke ndërthurur artin skenik me trashëgiminë historike shqiptare.
Ngjarja që më herët u organizua edhe në Londër u mundësua nga Empowered Women Of Dispora, në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Diasporës dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Duartrokitjet e publikut shoqëruan një mbrëmje që bashkoi shqiptarët dhe të huajt përmes artit, duke dëshmuar se kënga, vallja dhe trashëgimia kulturore mbetën një gjuhë që kuptohej kudo.