Tragjedi në SHBA: Familje me katër anëtarë gjetur e vdekur në banesë
Një familje me katër anëtarë u gjet e vdekur në banesën e tyre në Las Cruces, New Mexico, pas një telefonate alarmi nga një e afërme që nuk mundi të kontaktonte me ta.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Las Cruces, në shtetin e New Mexico-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Katër anëtarë të një familjeje u gjetën të vdekur në banesën e tyre, pas një telefonate alarmi nga një e afërme që nuk po arrinte të kontaktonte me ta.
Ngjarja u zbulua më 19 nëntor, kur policia mori njoftimin nga një familjare, e cila ishte shqetësuar pasi nuk kishte mundur të komunikonte me asnjë prej personave që jetonin në banesë. Pas mbërritjes në adresën në Lunetta Court, efektivët zbuluan trupat e pajetë të katër personave, të gjithë me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Sipas autoriteteve, dyshohet se 28-vjeçari Marcus Reyes Sr. ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, 28-vjeçaren Alayna Reyes, si dhe dy fëmijët e tyre, Marcus Jr., 8 vjeç, dhe Anastacia, 6 vjeçe. Pas vrasjes së familjarëve, 28-vjeçari dyshohet se ka qëlluar edhe veten, duke i dhënë fund jetës. Autoritetet po e trajtojnë ngjarjen si një rast të dyshuar vrasjeje-vetëvrasjeje.
Pas tragjedisë, tezja e Alayna Reyes, Kim Vallejos, ka hapur një fushatë për mbledhjen e fondeve në platformën GoFundMe, me qëllim mbështetjen financiare të nënës së viktimës. Deri më 24 nëntor, fushata kishte mbledhur afro 25 mijë dollarë. Fondet do të shërbejnë për të mbuluar nevojat e menjëhershme të familjes, mbështetjen e të afërmve dhe shpenzimet e tjera të shkaktuara nga kjo tragjedi.