Ekzekutimi i një anëtari të mafias greke, autoritetet greke në kërkim të një shqiptari
Autoritetet greke kanë identifikuar dy persona të dyshuar për përfshirje në ekzekutimin e një anëtari të mafias greke, njëri prej të cilëve është një shqiptar i shpallur në kërkim.

Autoritetet greke kanë zbardhur detaje të reja nga ekzekutimi i një 52-vjeçari në Athinë, i cili u gjet i vrarë pranë zonës së Golfit në Glyfada. Viktima ishte pjesë e një prej grupeve më të njohura të mafias greke. Në kuadër të hetimeve, është identifikuar një 48-vjeçar grek i cili është arrestuar, ndërsa një 48-vjeçar i huaj, i cili sipas raportimeve është shqiptar, është shpallur në kërkim.
Sipas hetimit, dy persona të dyshuar udhëtonin me motor dhe iu afruan viktimës, e cila po lëvizte gjithashtu me motor. Njëri prej tyre hapi zjarr disa herë në drejtim të tij, duke bërë që viktima të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej në rrugë. Autorët dyshohet se u kthyen sërish në vendin e ngjarjes dhe qëlluan përsëri ndaj viktimës para se të largoheshin.
Viktima ishte pjesë e grupit kriminal të Giorgos Moschouris, i njohur me nofkën “Thamnakias”. Ai kishte qenë i përfshirë në disa episode me armë zjarri dhe ishte arrestuar në vitin 2015 si pjesë e grupit kriminal të Moschouris. Hetimet për ekzekutimin në Glyfada vijojnë për kapjen e 48-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personit që dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj viktimës.