Greqia në grevë 24-orëshe kundër shtrenjtimit të jetesës dhe kushteve të punës
Greqia është përfshirë në një grevë 24-orëshe, me mijëra punonjës që protestojnë kundër shtrenjtimit të jetesës, pagave të ulëta dhe kushteve të punës.

Greqia është përfshirë sot nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe, me mijëra punonjës të sektorit publik dhe privat që protestojnë kundër shtrenjtimit të jetesës, pagave të ulëta dhe kushteve të punës. Greva është shpallur nga sindikata e nëpunësve të administratës publike, ADEDY, ndërsa asaj i janë bashkuar dhjetëra shoqata sindikaliste, federata dhe sindikata të sektorit privat si dhe studentë, pensionistë e fermerë.
Protestat organizohen në më shumë se 65 qytete të vendit, përfshirë Athinën dhe Selanikun. Sindikata e nëpunësve të sektorit publik, ADEDY, thekson se nuk pajtohet me rritjen e çmimeve, me pagat që mbeten të ulëta, me varfërinë energjetike dhe me gjendjen dramatike të shëndetësisë dhe arsimit publik.
Greva ka shkaktuar probleme në transportin publik, shkolla, spitale dhe shërbimet shtetërore. Anijet në shumë porte kanë mbetur të ankoruara, ndërsa metroja e Athinës funksionon vetëm nga ora nëntë e mëngjesit deri në gjashtë të pasdites. Gjithashtu, në grevë marrin pjesë edhe nënpunësit e bankave.
Në 15 aeroporte rajonale janë anuluar fluturimet për shkak të pjesëmarrjes së punonjësve të shërbimeve të informacionit të fluturimeve në grevë. Megjithatë, aeroportet kryesore dhe fluturimet ndërkombëtare nuk janë përfshirë në një ndërprerje të përgjithshme.
Kërkesat kryesore të grevistëve janë rritje reale të pagave, rikthimin e pagës së trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë për administratën publike, më shumë personel në spitale dhe shkolla, si dhe masa për uljen e çmimeve dhe qirave. Në qendër të pakënaqësisë është fuqia blerëse e familjeve greke, me inflacionin që arriti në 5,7% në tetor dhe çmimet e ushqimeve që u rritën mesatarisht me 2,1%.