Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, dy ditë diskutime për startup-et, energjinë dhe teknologjinë
Tirana do të jetë mikpritëse e edicionit të dytë të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ku do të diskutohen mundësitë e investimit në rajon, financimi i bizneseve të reja, inovacioni, inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura digjitale dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

Tirana do të jetë sot dhe nesër mikpritëse e edicionit të dytë të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, një aktivitet i nivelit të lartë që do të mbledhë mbi 600 investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve europiane dhe ndërkombëtare, si dhe figura të njohura të politikës dhe ekonomisë.
Sipas agjendës, në fokus do të jenë mundësitë e investimit në rajon, financimi i bizneseve të reja, inovacioni, inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura digjitale dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor. Në mesin e personaliteteve që do të marrin pjesë janë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ish-kryeministri italian Massimo D’Alema dhe ish-kryeministri tjetër italian Enrico Letta.
Punimet do të nisin në orën 08:15 me regjistrimin e pjesëmarrësve, ndërsa ceremonia e hapjes do të zhvillohet nga ora 09:15 deri në 09:40. Fjalët përshëndetëse do të mbahen nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si dhe Kerstin Jorna, drejtoreshë e përgjithshme e DG GROW në Komisionin Europian.
Një prej sesioneve të para do t’u kushtohet gjashtë startup-eve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të prezantojnë projektet dhe idetë e tyre përpara investitorëve. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet teknologjive të avancuara, inteligjencës artificiale dhe inovacionit. Gjatë ditës së parë do të zhvillohen gjithashtu panele mbi financimin e bizneseve, mundësitë e investimit në rajon dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet kompanive europiane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Dita e dytë do të nisë në orën 10:30 me hapjen zyrtare të punimeve. Fjalën përshëndetëse do ta mbajnë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Europian. Në orën 11:00 janë parashikuar prezantime të njoftimeve për investime, ndërsa më pas do të vijojnë sesionet tematike.
Një prej diskutimeve kryesore do të jetë ai mbi kapitalin njerëzor, aftësitë profesionale dhe produktivitetin, me fokus te mënyrat se si investimet në arsim, formim profesional dhe zhvillimin e aftësive mund të nxisin rritjen ekonomike të rajonit. Në këtë sesion do të marrin pjesë përfaqësues të kompanive dhe organizatave ndërkombëtare.
Nën moton “Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve europiane”, konferenca synon të promovojë potencialin ekonomik të gjashtë vendeve të rajonit dhe të krijojë mundësi konkrete për tërheqjen e kapitalit ndërkombëtar. Gjatë dy ditëve do të zhvillohen shtatë sesione tematike, ku do të trajtohen çështje që lidhen me financimin e bizneseve, teknologjinë, energjinë, infrastrukturën dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun europian.