Tirana, Qendër e Dialogut për Investitorët Evropianë
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerëson potencialin e Ballkanit Perëndimor për të bërë pjesë aktive e transformimit industrial dhe ekonomik të Evropës.

Tirana po mirëpret Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, një aktivitet i rëndësishëm ekonomik që ka bashkuar mbi 600 investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve financiare dhe vendimmarrës nga Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën hapëse të konferencës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi nevojën për të kaluar nga dialogu te investimet konkrete dhe vlerësoi potencialin e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë aktive e transformimit industrial dhe ekonomik të Evropës. Ajo deklaroi se synimi i Shqipërisë është të kalojë nga dialogu te vendimmarrja për investime dhe nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi konkret i kapitalit.
Ministrja Ibrahimaj propozoi nisjen e një vlerësimi të përbashkët teknik me Komisionin Evropian për të identifikuar projekte konkrete investimi ndërkufitare me qëndrueshmëri tregtare. Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave evropianë për mbështetjen e startup-eve në teknologjitë e avancuara dhe financimin e infrastrukturës digjitale dhe energjetike.
Konferenca dyditore synon të shërbejë si platformë për identifikimin e mundësive të reja të investimit, forcimin e partneriteteve ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në ekonominë evropiane. Ministrja Ibrahimaj ftoi investitorët të njohin më nga afër potencialin e kompanive shqiptare dhe perspektivën afatgjatë të rajonit, duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për të qenë një partnere e besueshme në këtë proces.