Dy shqiptarët që tentuan të grabisnin shtëpinë e Princit William dhe Kate
Dy shqiptarë, Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci, u arrestuan pas tentativës për grabitjen e banesës së Princit William dhe Princeshës Kate në pronën mbretërore në Sandringham, Norfolk.

Dy personat e arrestuar pas tentativës për grabitjen e banesës së Princit William dhe Princeshës Kate në pronën mbretërore në Sandringham, Norfolk, janë shqiptarët Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci. Sipas raportimeve të mediave britanike, mes tyre është një emigrant i paligjshëm, i cili kishte paraqitur më herët kërkesë për azil në Mbretërinë e Bashkuar.
Mediat raportojnë se dy të dyshuarit nuk e dinin se banesa ku tentuan të hyjnë i përkiste çiftit mbretëror, Princit dhe Princeshës së Uellsit. Alarmi i sigurisë u aktivizua pak para orës 18:00 të së hënës, në një kohë kur William, Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në pronë.
Policia britanike nisi një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan qen gjurmues, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar Ajror të Policisë, i pajisur me teknologji infra të kuqe. Helikopteri qëndroi për rreth dy orë mbi zonën. Pas kontrolleve intensive, dy të dyshuarit u kapën brenda territorit të pronës mbretërore.
Deri më tani, autoritetet dhe Pallati Kensington nuk kanë dhënë informacion nëse nga banesa është marrë ndonjë send. William dhe Kate u informuan për incidentin të së hënës në mbrëmje dhe, sipas raportimeve, ishin "jashtëzakonisht të shqetësuar". Anëtarët e familjes mbretërore kanë oficerë personalë sigurie, të cilët ofrojnë mbrojtje 24 orë në ditë. Pas këtij incidenti, Komiteti Mbretëror dhe i Sigurisë për Personat VIP pritet të vlerësojë nëse nevojiten masa shtesë mbrojtjeje.