Projektligji për heqjen e vizave për refugjatët miratohet, deputetët kërkojnë sqarime
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes evropiane për heqjen e vizave për refugjatët, por deputetët kërkojnë sqarime mbi kostot financiare dhe procedurat për trajtimin e refugjatëve.

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ka miratuar me 6 vota pro projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes evropiane për heqjen e vizave për refugjatët, të nënshkruar në Strasburg më 20 prill 1959. Deputeti Edmond Haxhinasto kërkoi të dinte nëse ratifikimi i marrëveshjes ishte konsultuar me Bashkimin Evropian dhe çfarë ndodh në rastet kur refugjatët tejkalojnë afatin tremujor të qëndrimit në Shqipëri.
Haxhinasto pyeti se çfarë ndodh nëse refugjatët qëndrojnë më shumë se tre muaj dhe nuk duan të largohen, dhe a ka kosto deportimi i tyre. Ai gjithashtu kërkoi të marrë një përgjigje konkrete nëse shteti shqiptar ka parashikuar fonde për përballimin e një fluksi të mundshëm refugjatësh. "Nëse vijnë 30 mijë refugjatë, çfarë ndodh me kostot e trajtimit të tyre ose të kthimit? A janë të buxhetuara? A ka një fond përkatës?" pyeti deputeti.
Zëvendësministrja Ruseti shprehu gatishmërinë për t’iu përgjigjur me shkrim pyetjeve të ngritura nga Haxhinasto. Kryetari i komisionit, Igli Hasani, kërkoi që përgjigjet të jepen brenda kësaj jave, duke theksuar se në rast të një numri të lartë refugjatësh do të aktivizohen mekanizma të tjerë.