Paro Laçi nuk paraqitet në gjyq, kërkon azil politik në Zvicër dhe mbrojtje nga drejtësia
Ish-presidenti i klubit të futbollit "Partizani", Paro Laçi, nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore ndaj Sali Berishës dhe të pandehurve të tjerë në dosjen "Partizani", duke pretenduar se ndihet i rrezikuar nga ish-kryeministri.

Ish-presidenti i klubit të futbollit "Partizani", Paro Laçi, nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore ndaj Sali Berishës dhe të pandehurve të tjerë në dosjen "Partizani". Ai ka shkruar një letër drejtuar Gjykatës së Posaçme, duke pretenduar se ndihet i rrezikuar nga ish-kryeministri dhe kërkoi statusin e dëshmitarit të mbrojtur.
Laçi ka kërkuar gjithashtu që për çdo komunikim të mëtejshëm gjykata t’i drejtohet avokatit të tij, Idajet Beqiri. Ai ka shprehur gatishmërinë për të dhënë dëshminë e tij nëpërmjet videokonferencës dhe ka kërkuar që të merret në mbrojtje nga drejtësia.
Në shkresën e tij, Laçi ka thënë se ka kërkuar azil politik në Zvicër dhe ka shprehur frikën për sigurinë e tij personale. Ai ka ritheksuar kërkesën e tij për të vlerësuar përsëri marrja e masave të mbrojtjes të parashikuara nga ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Gjykata e Posaçme ka vendosur që dëshmia e Paro Laçit të merret nëpërmjet letërporosisë drejtuar autoriteteve zvicerane. Sa i përket kërkesës për t’u përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, Gjykata e Posaçme ka sqaruar se shqyrtimi i saj nuk është kompetencë e trupit gjykues, por e prokurorisë.