Paralajmërim për mot të keq në Durrës, Bashkia kërkon kujdes nga qytetarët
Bashkia e Durrësit paralajmëron për mot të keq dhe kërkon nga qytetarët të kufizojnë lëvizjet e panevojshme.

Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e enjte qyteti i Durrësit pritet të përballet me reshje shiu me intensitet të lartë. Këto kushte atmosferike mund të shkaktojnë problematika të ndryshme, duke bërë që Bashkia e Durrësit të bëjë thirrje qytetarëve që nesër të kufizojnë lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë kryerjes së aktiviteteve të përditshme.
Bashkia e Durrësit ka njoftuar se është në gatishmëri të plotë përballë kësaj situate. Strukturat e ndërmarrjeve vartëse, shërbimet e emergjencave dhe Policia Bashkiake do të jenë në terren dhe të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në çdo situatë të mundshme emergjente.