Pagat në Shqipëri, ndër më të ulëtat në Europë dhe Ballkan
Punonjësit shqiptarë paguhen mesatarisht katër herë më pak se ata në Bashkimin Europian dhe mbeten ndër më pak të paguarit edhe në Ballkanin Perëndimor.

Punonjësit shqiptarë paguhen mesatarisht katër herë më pak se ata në Bashkimin Europian, ndërsa vijojnë të mbeten ndër më pak të paguarit edhe në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, paga mesatare vjetore bruto në Bashkimin Europian në vitin 2025 ishte 41,464 euro, me një rritje prej 4.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Në Shqipëri, sipas statistikave të INSTAT-it, paga mesatare mujore bruto ishte rreth 84 mijë lekë në vitin 2025, ose rreth 860 euro, e barasvlershme me 10,320 euro në vit. Krahasimi orientues e vendos pagën mesatare shqiptare në rreth 25% të nivelit të Bashkimit Europian.
Punonjësit shqiptarë paguhen rreth 36% më pak edhe se ata në Bullgari, vendi me pagat më të ulëta në Bashkimin Europian, ku të ardhurat mesatare vjetore bruto arritën në 16,201 euro në vitin 2025. Diferenca është e konsiderueshme edhe me dy prej destinacioneve kryesore të emigracionit shqiptar, Italinë dhe Greqinë.
Shqipëria mbetet pas edhe në rajon, ia kalon vetëm Kosovës. Serbia kryesoi rajonin në vitin 2025, me një pagë mesatare vjetore bruto prej rreth 15,480 eurosh, 50% më të lartë se në Shqipëri. Vetëm Kosova ka paga më të ulëta në rajon, me një pagë mesatare mujore bruto prej 713 euro në vitin 2025.