Arrestohet pronari i Informer-it, akuzohet për shkaktimin e panikut dhe trazirave
Prokuroria Themelore Publike në Beograd ka arrestuar pronarin e medias Informer, Dragan J. Vuçiçeviq, nën dyshimin se ka kryer veprat penale të shkaktimit të panikut dhe trazirave, si dhe pengimit të drejtësisë.

Prokuroria Themelore Publike në Beograd i ka caktuar masën e ndalimit pronarit të medias Informer, Dragan J. Vuçiçeviq. Nga kjo Prokurori i thanë Radios Evropa e Lirë se ai u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale të shkaktimit të panikut dhe trazirave, si dhe pengimit të drejtësisë.
Zëvendëskryeredaktori i Informer-it, Dejan Vukelliq, kërkoi që pronari dhe redaktori i këtij mediumi, Dragan Vuçiçeviq, të lirohet menjëherë dhe të mbrohet në liri. Në një deklaratë për mediat para stacionit policor në Vozhdovac, ku Vuçiçeviq po mbahet, Vukelliq tha se nuk ka arsye për të dyshuar se ai nuk do të paraqitet në gjykatë për t’u mbrojtur, “pavarësisht akuzave” që rëndojnë ndaj tij.
Deputeti i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe djali i Vuçiçeviqit, Vukashin Vuçiçeviq tha se ajo për të cilën po akuzohet babai i tij është “persekutim i pastër politik”. Kreu i grupit parlamentar opozitar të SNS-së dhe ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë seancës parlamentare vlerësoi se Vuçiçeviq është arrestuar “vetëm për shkak të punës së tij si gazetar”.
Dragan J. Vuçiçeviq është pronar dhe drejtues i televizionit privat kabllor Informer, i cili filloi transmetimin në maj të vitit 2023. Pas tij qëndron kompania Insajder Tim, themelues dhe aksionari kryesor i së cilës është Vuçiçeviq. Gjatë protestave antiqeveritare të udhëhequra nga studentët, para televizionit Informer dhe tabloidit me të njëjtin emër u mbajtën disa tubime, ndërsa në njërin prej tyre u nënshkrua edhe peticioni për ndalimin e punës Informer-it.