Dy shtetas shqiptarë akuzohen për vjedhje në vilën e Princit William
Dy shtetas shqiptarë, Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku, janë paraqitur në gjykatë në Britani të akuzuar për vjedhjen e disa sendeve me vlerë nga rezidenca Anmer Hall, ku qëndrojnë herë pas here Princi William dhe familja e tij.

Dy shtetas shqiptarë, Arilen Ndoci, 32 vjeç, dhe Mirgen Doku, 34 vjeç, kanë dalë para Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, të akuzuar për vjedhje me shkatërrim dhe hyrje të paligjshme në rezidencën mbretërore Anmer Hall, në Norfolk të Mbretërisë së Bashkuar. Ata dyshohen se kanë marrë gjashtë butona këmishash dhe një orë, pasi janë ngjitur përmes një tubi kullimi për të hyrë në ndërtesë.
Sipas prokurorisë, alarmi në pronë u aktivizua në orën 17:49 të 23 nëntorit, ndërsa tre persona u panë duke lëvizur me vrap drejt banesës. Pak minuta më vonë, u aktivizuan edhe alarmi pranë dritares së ndërtesës. Gjatë hetimeve, në tubin e kullimit u konstatuan shenja dëmtimi, ndërsa një kornizë e jashtme dritareje ishte dëmtuar gjatë hyrjes në ambientet ku ndodhej dhoma e zhveshjes.
Dy prej të dyshuarve u vunë re nga një punonjës i sigurisë së pronës, i cili gjatë një patrullimi i pa duke u larguar drejt një zone të pyllëzuar. Në kërkim u angazhuan qen policie, dronë dhe helikopteri i Policisë Kombëtare Ajrore. Pamjet nga dronët treguan të dyshuarit duke lëvizur në pyll, ku dyshohet se kishin hedhur edhe sende të përdorura për vjedhjen. Sipas prokurorisë, të dy u arrestuan pa këpucë.
Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se Ndoci dhe Doku janë shtetas shqiptarë që dyshohet se kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme. Në momentin e incidentit, Princi William, Princesha Catherine dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, nuk ndodheshin në Anmer Hall, por në rezidencën e tyre kryesore në Windsor. Të dy personat konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.