Mariah Carey bëhet sërish Barbie me kukullën e re koleksionuese
Mariah Carey do të ketë një tjetër kukull Barbie të krijuar në nder të saj, e frymëzuar nga albumi i saj i Krishtlindjeve i vitit 1994, “Merry Christmas”, dhe kënga ikonike “All I Want for Christmas Is You”.

Mariah Carey do të ketë një tjetër kukull Barbie të krijuar në nder të saj. Mattel ka prezantuar modelin e ri koleksionues, të frymëzuar nga albumi i saj i Krishtlindjeve i vitit 1994, “Merry Christmas”, dhe kënga ikonike “All I Want for Christmas Is You”. Kukulla rikrijon pamjen e këngëtares në kopertinën e albumit, me një kostum festiv prej kadifeje të kuqe, të zbukuruar me detaje të bardha prej gëzofi.
Kukulla do të jetë e disponueshme në një paketim të veçantë për koleksionistët, me sfond dimëror me dëborë dhe inicialet e këngëtares. Mariah Carey ka shprehur gëzim për këtë bashkëpunim, duke thënë se krishtlindjet kanë qenë gjithmonë një periudhë kaq magjike për të. Ajo shtoi se ishte shumë argëtuese të shihte pamjen e saj festive të rikrijuar në formën e një kukulle Barbie, duke shpresuar që ajo të sjellë gëzim dhe atmosferë festive për fansat gjatë këtij viti.
Sipas revistës “Variety”, kjo është hera e dytë që kompania Mattel publikon një Barbie të frymëzuar nga këngëtarja. Modeli i parë u prezantua në nëntor të vitit 2023 dhe u shit brenda më pak se 24 orësh. Të dyja kukullat janë dizajnuar nga stilisti Angel Kent dhe bëjnë pjesë në linjën Black Label të Barbie, e cila u dedikohet modeleve koleksionuese. Albumi “Merry Christmas” dhe hiti “All I Want for Christmas Is You” vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e kulturës pop dhe sezonit festiv.