Shqipëria Prit Kampionatin Evropian U21 në 2027
Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë sëbashku Kampionatin Evropian U21 në 2027, një nga kompeticionet më të rëndësishme për moshat, duke sjellë në rajon 16 kombëtare të kontinentit.

Shqipëria do të jetë një nga vendet pritëse të Kampionatit Evropian U21 në 2027, sëbashku me Serbinë. Kampionati do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027, në tetë stadiume dhe shtatë qytete pritëse. Në Shqipëri, ndeshjet do të luhen në Arena Kombëtare dhe Arena e Demave në Tiranë, Elbasan Arena dhe Stadiumi Loro Boriçi në Shkodër.
Faza finale do të përfshijë 16 përfaqësuese, me një format që nis me fazën e grupeve dhe vijon me çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen. Anglia, kampione në fuqi, do të kërkojë të mbrojë titullin, ndërsa në garë do të jenë edhe emra të mëdhenj si Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Portugalia dhe Holanda.
Ceremonia e shortit të fazës finale do të zhvillohet në Sava Centar, në Beograd, më 27 nëntor. Eventi do të prezantohet nga moderatorja shqiptare Arjola Shehu dhe prezantuesi serbo-australian Stefan Popović. Shqipëria do të përfaqësohet nga ish-sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj.
Kampionati Evropian U21 është një prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit për moshat, duke shërbyer si një trampolinë për shumë prej emrave që më pas kanë shkëlqyer në nivelet më të larta të futbollit botëror. Në këtë turne kanë luajtur futbollistë si Xavi Hernández, Andrea Pirlo, Fabio Cannavaro, Petr Čech, Luís Figo, Carles Puyol, Ruud van Nistelrooy, Frank Lampard dhe Harry Kane.