Deputete socialiste propozon zgjedhjen e mjekut dhe spitalit për të burgosurit
Një deputete socialiste ka propozuar një projektligj që lejon të burgosurit të zgjedhin vetë mjekun dhe spitalin për trajtimin e tyre shëndetësor, me kusht që të mbulojnë shpenzimet mjekësore.

Deputete e Partisë Socialiste, Enriketa Jaho, ka depozituar një projektligj për ndryshimin e ligjit nr. 81/2020 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve". Ky projektligj parashikon riformulimin e nenit 41 të ligjit dhe transferimin e përgjegjësisë për kujdesin shëndetësor të të burgosurve nga sistemi penitenciar te strukturat në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas projektligjit, personat e privuar nga liria do të përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, duke përfituar pa pagesë shërbimet e mbuluara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Një nga parashikimet e pikës 4 të nenit të riformuluar është e drejta e të burgosurve për të zgjedhur mjekun ose institucionin shëndetësor brenda vendit, kundrejt mbulimit të shpenzimeve prej tyre.
Për të dënuarit në institucionet e sigurisë së lartë, ushtrimi i kësaj të drejte do të bëhet vetëm pas vlerësimit të rrezikshmërisë së tyre. Ndërsa për personat e vendosur në regjimin e posaçëm, sipas nenit 17 të ligjit, kjo e drejtë nuk do të zbatohet, përveç rasteve kur shërbimi i kërkuar nuk ofrohet nga strukturat shëndetësore të burgjeve dhe institucionet spitalore.
Projektligji përcakton gjithashtu detyrimin e personelit mjekësor për të vizituar pa vonesa të burgosurit e sëmurë, në varësi të urgjencës dhe nevojave të tyre shëndetësore. Kërkesa për vizitë mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht. Kujdesi shëndetësor kalon në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.