Gjykata Pezullon Gjobën e 17-Vjeçarit që U Ndëshkua për Pjesëmarrje në Protestë
Gjykata Administrative e Tiranës pezullon ekzekutimin e gjobës prej 5 milionë lekësh të vjetra ndaj 17-vjeçarit Erind Goçllari, i cili u ndëshkua për pjesëmarrjen në protestë.

Gjykata Administrative e Tiranës ka pezulluar ekzekutimin e gjobës prej 5 milionë lekësh të vjetra (500 mijë lekë të reja) ndaj 17-vjeçarit Erind Goçllari, i ndëshkuar nga Policia për pjesëmarrjen në protestë. I ri nuk do të duhet ta paguajë gjobën të paktën deri në përfundimin e procesit gjyqësor, ndërsa gjykata do të shqyrtojë nëse ndëshkimi i vendosur ndaj tij ishte i ligjshëm.
Avokati Ledio Braho, i cili përfaqëson të miturin, tha se në gjykatë ka çuar dy kërkesa, së pari anulimin e gjobës dhe së dyti pezullimin e saj gjatë kohës që zgjat gjyqi. Gjykata pranoi kërkesën e dytë. "Drejtoria e Policisë nuk mund të vijojë me ekzekutimin e gjobës derisa të mbyllet gjyqi me vendim të formës së prerë. Kjo është ajo që është e rëndësishme në këtë moment", tha Braho.
17-vjeçari prej tetë vitesh ka humbur nënën dhe jeton me të atin, motrën e vëllanë në kushte të vështira ekonomike.