SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës synojnë të forcojnë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar
Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin në detyrë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar.

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, zhvilloi një takim me kryeprokurorin në detyrë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca. Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar, përmes koordinimit të veprimeve, shkëmbimit të informacionit dhe intensifikimit të komunikimit ndërmjet strukturave përkatëse.
Në njoftimin e publikuar pas takimit, SPAK theksoi rëndësinë e partneriteteve ndërmjet institucioneve të drejtësisë, përballë karakterit ndërkufitar të kriminalitetit. "Në kushtet kur krimi i organizuar shtrihet përtej kufijve shtetërorë, bashkërendimi institucional dhe partneritetet mes strukturave të drejtësisë mbetet i një rëndësie të veçantë", thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Takimi vuri theksin te nevoja për një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve të ndjekjes penale në Shqipëri dhe Kosovë, në adresimin e veprimtarive kriminale që tejkalojnë kufijtë kombëtarë.