Arbitri i AFC Champions League zëvendësohet pas akuzave për dehje
Një arbitër sirian u zëvendësua gjatë një ndeshjeje në AFC Champions League pas akuzave se ishte nën ndikimin e alkoolit.

Një episod i pazakontë u regjistrua në AFC Champions League Two, ku arbitri sirian Hanna Hattab u zëvendësua në pushimin mes dy pjesëve të ndeshjes ndërmjet Al Jazira dhe Gol Gohar, mes akuzave se ishte nën ndikimin e alkoolit. Disa vendime të diskutueshme të arbitrit shkaktuan reagime nga lojtarët dhe stafi teknik, veçanërisht pas një incidenti në minutën e 32-të.
Pas një ndërhyrjeje të parregullt ndaj futbollistit të Gol Gohar, Ali Asghar Ashouri, në mesfushë, Hattab thirri portierin e Al Jazira, Ersin Destanoglu, duke e ndëshkuar me karton të verdhë. Vendimi shkaktoi habi te portieri turk dhe bashkëlojtarët e tij. Pamjet nga ndeshja tregojnë trajnerin e skuadrës iraniane, Mehdi Rahmati, duke bërtitur: “Është i dehur!”.
Megjithëse akuzat mbeten të pakonfirmuara, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) ndërhyri në pushimin mes dy pjesëve, duke zëvendësuar arbitrin. Menaxheri i Gol Gohar, Heydar Afsari, deklaroi pas ndeshjes se klubi kishte paralajmëruar zyrtarët se nuk do të vazhdonte të luante nëse situata mbetej e pandryshuar. “Arbitri në ndeshjen kundër Al Jazira nuk ishte në gjendje normale dhe madje edhe lojtarët e Al Jazira na thanë të njëjtën gjë”, deklaroi Afsari.
Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Al Jazira-s, falë një goli të brazilianit Anderson Talisca.