Rreziku i Kompjuterëve Kuantikë Mbi Sigurinë e Internetit
Kompjuterët kuantikë mund të thyejnë disa prej metodave aktuale të enkriptimit, duke vënë në rrezik komunikimet private, transaksionet bankare, sekretet shtetërore dhe të dhënat e institucioneve publike.

Ndërsa bota po përpjetet të përballojë rreziqet që burojnë nga inteligjenca artificiale, një tjetër revolucion teknologjik kërcënon të përmbyset sistemet mbi të cilat mbështetet siguria e internetit: informatika kuantike. Kompjuterët kuantikë të së ardhmes mund të bëhen aq të fuqishëm sa të thyejnë disa prej metodave aktuale të enkriptimit, duke vënë në rrezik komunikimet private, transaksionet bankare, sekretet shtetërore dhe të dhënat e institucioneve publike.
Përballe këtij skenari, Bashkimi Evropian po përgatitet të ndërmarrë masa për mbrojtjen e infrastrukturës së tij dixhitale. Sipas një projektligji të siguruar nga revista "Politico", Brukseli synon të përpëjtojë përgatitjet përmes "Aktit të Teknologjisë Kuantike", duke nxitur kalimin drejt sistemeve të reja të sigurisë.
Shqetësimi kryesor është se kompjuterët kuantikë, kur të arrijnë kapacitetin e nevojshëm, mund të deshifrojnë informacione që sot konsiderohen të mbrojtura. Kjo do të ekspozonte një gamë të gjerë institucionesh, nga bankat dhe spitalet deri te agjencitë e inteligjencës dhe strukturat ushtarake.
Gjiganti teknologjik IBM synon të ketë gati kompjuterin e tij të parë kuantik në shkallë të gjerë deri në vitin 2029. Ekspertët paralajmërojnë se në vitet pasuese mund të shfaqen pajisje me kapacitetin e nevojshëm për të thyer disa nga standardet aktuale të enkriptimit.
Komisioni Evropian ka hartuar më herët një plan për mbrojtjen e infrastrukturës kritike përmes kriptografisë post-kuantike deri në fund të vitit 2030. Paralelisht, vendet anëtare të BE-së, Komisioni Evropian dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës po punojnë për ndërtimin e një infrastrukture të sigurt komunikimi kuantik, të njohur si EuroQCI.