PS kërkon shtyrjen e rivlerësimit të pronave deri në dhjetor 2027
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar shtyrjen e afatit për procesin e rivlerësimit të pronave deri në dhjetor 2027.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i udhëhequr nga deputeti Olsi Komici, ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për shtyrjen e afatit për procesin e rivlerësimit të pronave. Kërkesa është bërë për të shtyrë procesin e rivlerësimit të banesave deri në dhjetor të vitit 2027, pasi aktualisht afati është deri në fund të këtij viti.
Ky projektligj ka për qëllim shtyrjen deri më 31 dhjetor 2027 të afateve të përcaktuara në ligjin nr. 85/2025, "Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme", për kryerjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nga individët dhe personat juridikë, si dhe përcaktimin e rregullave për përfundimin e procedurave administrative të nisura brenda afatit ligjor.
Në këtë kontekst, shtyrja e afateve deri më 31 dhjetor 2027 vlerësohet e nevojshme për të dhënë subjekteve të interesuara një mundësi më të gjerë kohore për të përmbushur kërkesat dhe procedurat e nevojshme për kryerjen e rivlerësimit. Kjo ndërhyrje synon të zgjerojë mundësinë e përfimit nga procesi, duke shmangur kufizimet që mund të krijohen nga afati aktual dhe duke u dhënë individëve dhe personave juridikë kohën e nevojshme për të vendosur dhe për të realizuar rivlerësimin e pasurive të tyre.
Gjithashtu, projektligji trajton edhe situatën e kërkesave për rivlerësim të paraqitura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të cilat është kryer pagesa e tatimit përkatës, por procedurat administrative nuk kanë përfunduar brenda datës 31 dhjetor 2027. Në këto raste, është rëndësishme që subjektet të cilat kanë përbushur detyrimin e tyre tatimor të mos cenohen për shkak të kohës së nevojshme për përfundimin e procedurave administrative nga institucionet përgjegjëse. Për këtë arsye, propozohet përcaktimi i një afati shtesë deri më 31 mars 2028, brenda të cilit këto procedura të përfundojnë, në përputhje me dispozitat e ligjit.