Biznesmeni gjerman në hetim për furnizim trafikantësh me gomone për kalime drejt Britanisë
Autoritetet evropiane dyshojnë se një biznesmen gjerman ka qenë furnizues i rrjeteve të trafikimit të emigrantëve që organizojnë kalime me gomone përmes Kanalit Anglez drejt Britanisë së Madhe.

Një tregtar gjerman i mjeteve lundruese dyshohet nga autoritetet evropiane se ka qenë një prej furnizuesve kryesorë të rrjeteve të trafikimit të emigrantëve që organizojnë kalimet me gomone përmes Kanalit Anglez drejt Britanisë së Madhe. Sipas një investigimi të BBC-së, rreth 29% e kalimeve të zbuluara në katër muajt e parë të këtij viti dyshohet se janë kryer me gomone ose motorë të lidhur me kompaninë MaReBoote, një biznes i vogël në Gjermaninë perëndimore.
Në qendër të hetimit është administratori i kompanisë, 35-vjeçari Marvin Reuter, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arresti evropian në maj të këtij viti. Ai kundërshton ekstradimin drejt Francës, ku mund të përballet me akuza për trafikim emigrantësh, organizim kriminal dhe vrasje nga pakujdesia. Pajisjet e kompanisë së tij dyshohet se kanë qenë të përfshira në dy incidente tragjike gjatë përpjekjeve për kalimin e Kanalit Anglez, ku humbën jetën katër persona. Reuter nuk mund të akuzohet zyrtarisht në Francë pa u ekstraduar dhe deri më tani konsiderohet i pafajshëm.
BBC, në bashkëpunim me transmetuesit gjermanë WDR dhe NDR, gazetën "Süddeutsche Zeitung" dhe francezen "Le Monde", ka shqyrtuar qindra dokumente policore, gjyqësore dhe tatimore lidhur me çështjen. Sipas materialeve të siguruara, hetuesit dyshojnë për lidhje të vazhdueshme mes biznesmenit dhe rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve. Gomone me logon e kompanisë janë gjetur në brigjet britanike, dhe sipas hetimeve franceze, të paktën 82 gomone të furnizuara nga kompania e Reuterit kanë mbërritur në brigjet e Anglisë gjatë një periudhe pak më shumë se dyvjeçare, deri në muajin maj.