Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, mbajti fjalimin e tij të fundit në Shkup
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në Shkup, gjatë pritjes solemne të organizuar për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në Shkup, gjatë pritjes solemne të organizuar për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në një fjalim të shoqëruar me emocione, referenca historike dhe mesazhe për bashkimin kombëtar, Meidani bëri të ditur se mandati i tij diplomatik në Maqedoninë e Veriut po shkon drejt përfundimit.
Meidani theksoi se identiteti shqiptar nuk kufizohet vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por përfaqësohet nga historia, kultura, gjuha dhe arritjet e shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në mbarë botën. Gjatë fjalimit, ai solli në vëmendje personalitete të shquara të historisë dhe kulturës kombëtare, mes tyre Skënderbeun, Nënë Terezën, Çajupin, Faik Konicën, Ismail Kadarenë dhe Vaçe Zelën.
Një vëmendje të veçantë ambasadori i kushtoi edhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar rëndësinë e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe integrimit të përbashkët në Bashkimin Evropian. Meidani shprehu mirënjohjen për institucionet e Maqedonisë së Veriut, kolegët e tij diplomatë dhe të gjithë bashkëpunëtorët që e kanë shoqëruar gjatë mandatit.
Pjesa më prekëse e fjalimit iu kushtua shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Meidani tregoi se përvoja e tij në Shkup i kishte dhënë një kuptim tjetër lidhjes me shqiptarët e këtyre trojeve. Në përfundim, ambasadori iu drejtua shqiptarëve me thirrjen për të ruajtur gjuhën, flamurin dhe unitetin kombëtar.